ANKETA E ZËRIT TË QYTETARËVE

Reforma Territoriale dhe Administrative në Shqipëri

Ndërmarrë nga Qeveria Shqiptare

Organizuar dhe zbatuar nga IDRA

Mbështetur nga projekti STAR

Qëllimi

“Anketa e zërit te qytetarëve” për Reformën Territoriale-Administrative është ndërmarrë nga Qeveria shqiptare dhe mbështetur financiarisht nga Projekti STAR (Support to Territorial and Administrative Reform)¹.

Në kuadër të përfshirjes së zërit të qytetareve si dhe në zbatim të kërkesave të ligjit Nr. 8652 “Për Organizimin dhe Funksionimin e Qeverisjes Vendore”, Qeveria Shqiptare ka ndërmarrë një projekt për të krijuar një platformë të strukturuar për mbledhjen e opinionit të qytetarëve në lidhje me reformën territoriale të propozuar.

“Anketa e zërit te qytetarëve” është një projekt që synon të mbledhë nëpërmjet një kampioni/mostre përfaqesuese, opinionet e qytetarëve në lidhje me:

1 – Njohuritë që kanë qytetarët për aspekte të ndryshme të reformës
2 – Nivelin e mbështetjes apo kundërshtimit që shfaqin qytetarët për nevojën e reformës në parim
3- Nivelin e mbështetjes apo kundërshtimit që shfaqin qytetaret në lidhje me propozimet specifike për ndarjen e re administrative të propozuar nga Qeveria
4 – Arsyet e mbështetjes apo kundërshtimit
5 – Perceptime te ndryshme mbi problematikën me të cilën përballet qeverisja vendore

Rreth 16 000 qytetarë në moshë madhore (18 vjeç e sipër) të ndarë sipas kampioneve të zonave funksionale nga variantet e propozuara janë pyetur nëpërmjet një pyetësori të strukturuar (kliko këtu për pyetësorin).

Në këtë platformë, paraqiten rezultatet e dala nga ky studim kombëtar, sipas indekseve të përcaktuara.


Klikoni Metodologjine për më shumë informacion të qasjes metodologjike.

Klikoni Hartat Interaktive, për të parë rezultatet konkrete.

Klikoni Pyetesorin, për të shkarkuar pyetjet e anketës.




¹ Projekti STAR zbatohet përmes një fondi të krijuar nga shumë donatorë dhe me mekanizmat menaxhues të PNUD-it në Shqipëri. Projekti synon që të lehtësojë dhe mobilizojë të gjitha burimet njerëzore të nevojshme dhe logjistikën që kërkohet per kryerjen e reformes territoriale. STAR financohet nga Agjencia Suedeze për Bashkëpunimin Ndërkombëtar për Zhvillim (SIDA), Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, USAID-i dhe PNUD-i.

Metodologjia

*Toleranca e gabimit është llogaritur për një interval besueshmërie 95%, që përfaqëson standartin tipik të hulumtimeve sasiore. Teknikisht, numri i përfaqësuar nga toleranca e gabimit nënkupton që, nëse merren në mënyre të përsëritur kampione të kësaj madhësie, 95% e tyre do të pasqyronin opinionet e popullatës me pasaktësi jo më te madhe se toleranca e gabimit.

Për të pasur një kampion/mostër sa më përfaqësuese të popullsisë, me një mundësi përzgjedhjeje tënjëjtë apo te llogaritshme për çdo zonë/qytetar në moshë madhore të Shqipërisë, është hartuar nje skemë e kujdesshme kampionimi.


Përzgjedhja e Njësive Primare të Kampionimit (NJPK)

• Territori i Shqipërise është ndarë në 47 zona funksionale sipas variantit me më shumë zona të propozuar. Për secilën zonë është llogaritur popullsia përkatëse sipas Censusit te 2011. Kjo popullsi e çdo zone përfaqëson “popullatën” nga e cila do të përzgjidhet mostra për atë zonë specifike. Pra janë 47 mostra përfaqësuese të zonave funksionale të propozuara.


• Zonat janë kategorizuar në segmente të caktuara sipas popullsisë për të bërë një ndarje të madhësisë së kampionit për çdo segment popullsie. Madhësia minimale e kampionit/mostrës për zonat me popullsi më të vogël është N=200 dhe rritet në varësi të segmentit të popullates. Tabela më poshtë paraqet këtë segmentim dhe madhësine e kampionit përkatës.

• Brenda një zone funksionale, si Njësi Primare të Kampionimit, shërbejnë zonat gjeografike më të vogla të përcaktuara nga Qendrat e Votimit sipas zgjedhjeve më të fundit parlamentare të 2013.

• Brenda zonave funksionale bëhet një shtresëzim i Njësive Primare të Kampionimit sipas parametrit Urban apo Rural (Bashki/Komuna) dhe pastaj sipas Njësisë së qeverisjes vendore përkatëse. Ky shtresëzim shërben që të sigurohemi se çdo njësi e qeverisjes vendore aktuale do të ketë përfaqësim në kampion.

• Një algoritëm specifik, bën përzgjedhjen e Njësive Primare të Kampionit duke përdorur si parameter madhësie për to, numrin e votuesve për çdo Qendër Votimi. Kjo ështëe lidhur drejtpërdrejtë edhe me targetin e anketës që synon qytetarët në moshë madhore (18 vjeç e sipër).

• Brenda çdo njësie primare të përzgjedhur, që përfaqëson një zonë të caktuar gjeografike kryhen 10 intervista.


Përzgjedhja e Derës/Shtëpisë ku do të trokitet

• Brenda njësisë primare të përzgjedhur ka një metodologji specifike sipas të cilës përzgjidhen dyert ku trokitet për të bërë një intervistë – “Metodologjia e rrugës rastësore”.

• Çdo anketuesi i jepet harta e njësisë përkatëse dhe i përcaktohet pika fillestare e lëvizjes (një adresë specifike, një kryqëzim, një ndërtesë e caktuar) nga supervizori.

• Duke ruajtur gjithmonë krahun e djathtë intervistuesi fillon numërimin e shtëpive rezidenciale nëpërmjet një hapi të përcaktuar që ka marre parasysh dendësine e familjeve në zonë (p.sh. 1 në çdo 3 dyer apo 1 në çdo 5 dyer).

• Dera së ciles i bie numërimi sipas hapit të përcaktuar është banesa e përzgjedhur për të kryer intervistën.

• Intervistuesi duhet të zbatojë metodologjinë e përzgjedhjes së personit brenda familjes/banesës dhe të rezervojë mundësinë për të bërë deri ne 3 vizita nëkëtë banesë përpara se të vendosë ta zëvendesojë atë me një banesë tjetër (në kushte kur nuk është e mundur të kryhet intervista)


Përzgjedhja e Personit që do të intervistohet

• Brenda banesës së përzgjedhur, duhet të gjendet personi i cili duhet të intervsitohet sipas metodologjisë së përcaktuar.

• Intervistuesi duhet të zgjedhë personin madhor (18 vjeç e sipër) brenda familjes/banesës që ka pasur ditëlindjen e fundit nga data e kontaktit për intervistë.

Personat duhet të jenë “rezidentë” në familje/banesë ( te kene jetuar per te pakten 6 muaj ne 12 muajt e fundit).

IDRA zbaton kodin e Esomarit (standartin ndërkombëtar për hulumtime të opinionit publik) dhe Ligjin shqiptar “Për mbrojtjen e të dhënave personale” (Nr. 9887, dt. 10/03/2008) në lidhje me konfidencialitetin e të dhënave personale. Të dhënat e anketës përdoren vetëm për qëllime statistikore.



Harta Interaktive

Për të lexuar Hartën me indekse duhet të keni parasysh disa elementë:

1. Qytetarët janë pyetur në lidhje me variantet e propozuara nga Qeveria për ndarjen territoriale sipas tre propozimeve, me 39, 47 dhe 61 njesi. Disa njësi janë të njëjta në dy variantet e propozuara me 39 njësi dhe varianti me 47 njësi. Në këtë rast qytetarët janë pyetur vetëm për një variant. Ne rastin kur njësitë janë të ndryshme në variante të ndryshme, qytetarët janë pyetur për të dy variantet. Agregimi i të dhënave për variantinme zona më të mëdha (39 njësi) është bërë duke marrë parasysh peshën specifike sipas popullsisë të secilë zonë.

2. Platforma paraqet rezultatet në bazë të tre hartave:

a. Harta me 61 njësi. Për njësitë të cilat ndryshojnë nga varianti me 47 njësi tek ai me 61 njësi janë ripyetur vetëm banorët e zonave të cilët ndikoheshin nga shtesa e numrit të njësive funksionale në bazë të propozimit të fundit.

Shembull: Popullisa e Memaliaj u ripyet në lidhje më nivelin e mbështetjes së propozimit më 61 njësi, në të cilin Memaliaj konsiderohet si njësi funksionale (bashki) më vete, e ndarë nga Tepelena sipas propozimit me 47 njësi.

b. Harta me 47 njësi. Në këtë rast rezultatet paraqesin opinionin e qytetarëve për njësinë e tyre edhe për variantin me 39 njësi (nëse ka ndryshim) edhe për variantin me 47 njësi.

Shembull: Popullsia e Kamzes jep opinion në lidhje me variantin me 47 njësi, ku Kamza është e bashkuar me Komunen e Zall Herrit dhe Paskuqanit, por edhe për variantin me 39 njësi ku Kamza është pjesë e njësisë së Tiranës.

c. Harta me 39 njësi. Në këte rast rezultatet e atyre njësive që ndryshojne nga njeri variant në tjetrin jane agreguar duke marrë parasysh peshën specifike të popullsisë së zonave. Njësitë të cilat nuk ndryshojnë nga njëri variant në tjetrin, paraqesin të njëjtin rezultat si ai në variantin me 47 njësi.

3. Indekset e paraqitura në harte janë:

a. Njohuria mbi reformen

i.   Ky indeks bazohet në rezultate që dalin nga pyetja “Në lidhje me reformën territoriale që po diskutohet aktualisht ne Shqipëri, sa të informuar jeni me aktivitetin dhe përmbajtjen e saj? Në shkallën nga 1 deri në 7, ku 1 është “Aspak të informuar” dhe 7 është “Shumë të informuar”. Indeksi është një mesatare e shkallës së shprehur.

b. Njohja e propozimit specifik

i.   Ky indeks bazohet në rezultate që dalin nga pyetja “A jeni në dijeni për propozimin e ri mbi ndarjen e njësise tuaj qeverisese vendore?”. Intervistuesi bën pyetje kontrollouese për të pare nëse personi vërtet është në dijeni. Indeksi përfaqëson % e atyre që pohojnë se e njohin propozimin/propozimet specifike.

c. Mbështetja në parim

i. Ky indeks bazohet në rezultate qe dalin nga pyetja “Para se të shqyrtojmë kufijtë e rinj administrative të propozuar nga reforma për zonën tuaj specike, sa e mbështesni ose kundërshtoni ju nevojën për të patur një reformë territoriale dhe ndarje të re administrative në Shqipëri? Në shkallën nga 1 deri në 7, ku 1 është “E kundërshtoj plotësisht” dhe 7 “E mbështes plotesisht.” Indeksi është një mesatare e shkallës së shprehur.

d. Mbështetja e variantit (39 apo 47)

i. Indeksi bazohet në rezultate qe dalin nga pyetja “Sipas propozimit të ri mbi ndarjen e njësisë tuaj, sa shumë e mbështesni ose e refuzoni atë, në një shkallë nga 1 deri ne 7, ku 1 është “E kundërshtoj plotësisht” dhe 7 “E mbështes plotësisht”? Intervistuesit janë të gjithë të pajisur me një hartë të njësisë së propozuar për të qenë sa më të qartë në propozimin specifik. Indeksi është nje mesatare e shkallës së shprehur.

e. Mbështetja e variantit (61)

i. Indeksi per variantin me 61 zona administrative bazohet vetem ne rezultate qe dalin nga pyetja “Sipas propozimit të ri mbi ndarjen e njësisë tuaj, sa shumë e mbështesni ose e refuzoni atë, në një shkallë nga 1 deri ne 7, ku 1 është “E kundërshtoj plotësisht” dhe 7 “E mbështes plotësisht”? Intervistuesit janë të gjithë të pajisur me një hartë të njësisë së propozuar për të qenë sa më të qartë në propozimin specifik. Indeksi është nje mesatare e shkallës së shprehur.

;

Shpërndaje

Copyright © IDRA Research & Consulting 2014